Arrogancë pa fre e pushtetit të Berishës për ta vënë parlamentin në funksion të hakmarrjes politike
- Partia Socialiste denoncon hapur pushtetin e sotëm politik si provokator të stabilitetit të vendit.
Mbajtja në burg e FATOS NANOS është sfidë ndaj Unionit Ndërparlamentar dhe Këshillit të Evropës.
Kritikë
Deklaratë për shtyp e kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë
Partia Socialiste vlerëson me shqetësim të thellë votimin e djeshëm nga Kuvendi Popullor për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit të pavarur, z. Zef Preçi.
Ajo e konsideron këtë veprim si të papërgjegjshëm, arrogant, antikushtetues dhe politikisht destabilizues për shkak se:
1. Është për herë të parë që, me urdhër të politikës së lartë, arrestohet një deputet vetëm pak ditë përpara fillimit të fushatës elektorale, gjë që e zhvesh vendimin përfundimtar nga çdo vel juridik dhe e ekspozon qartazi si akt të hakmarrjes politike.
2. Është për herë të dytë që një deputet nga radhët e opozitës arrestohet pa iu krijuar më parë as mundësia minimale e mbrojtjes parlamentare. Në të dyja rastet, maxhoranca ka vepruar nën presionin e urdhrave politike dhe jo mbi bazën e analizës së ftohtë e të pavarur të fakteve e të argumenteve. Dihet se në çështjen e zotit Nano, në mënyrë krejt të padrejtë dhe antikushtetuese, shumica parlamentare e asaj kohe shkeli tërësisht procedurën e sanksionuar në Kushtetutë, kusht që është vendimtar për ekzistencën e fajit ose pafajësisë. Është i habitshëm edhe veprimi i ditëve të fundit i Kryesisë së Kuvendit Popullor, e cila e paraqiti kërkesën e prokurorisë pa iu referuar më parë komisionit parlamentar juridik të sanksionuar si hallkë e domosdoshme në këto raste. Ky veprim i mbrëmshëm, i cili tenton t'i japë një mbulesë ligjore një arbitrariteti të skajshëm politik, nuk ndryshon në thelb asgjë nga dy veprime të mëparshme të maxhorancës, në mënyrë flagrante të paligjshme.
3. Ka vend në dyshimi i fortë se edhe kësaj radhe prokuroria është vënë në shërbim të politikës. Vetë kërkesa drejtuar Kuvendit me akuzë krejt absurde se deputeti i pavarur, zoti Zef Preçi, ka fyer presidentin e republikës, duke e quajtur atë diktator, lë të mendohet se maxhoranca synon të kriminalizojë opozitën në prag të zgjedhjeve. Të trumbetosh si vepër penale një vlerësim politik të një kundërshtari ndaj kreut të shtetit, dhe aq më tepër kur e shpreh këtë në forumin përkatës të një partie politike, kjo nuk ka asnjë precedent në vendet e qytetëruara. Fakti që Parlamenti votoi arrestimin e deputetit pa dërguar më parë materialin në gjykatë për të saktësuar nëse vërtet ka vend për akuzën e fyerjes së presidentit, e bën edhe më të dukshëm arbitraritetin e këtij vendimi.
4. Arrestimi i djeshëm i zotit Zef Preçi është ngjarje shumë më e rëndë se sa duket në pamje të parë. Ai përbën një sinjal të fortë për gjithë shoqërinë shqiptare se po hyjmë në ditë kur pushteti nuk do të njohë më asnjë kufi për veprimet e tij arbitrare. Është alarmante që këto veprime po ndërmerren pikërisht tani kur vendi ka hyrë në periudhën më delikate e më të rëndësishme të zgjedhjeve parlamentare, nga të cilat varet në masë të madhe imazhi i Shqipërisë në sytë e botës. Nuk duhet harruar se e drejta e opozitës për të pasur konkurentët e vet në garën zgjedhore është një e drejtë themelore demokratike dhe jo një favor që pushteti ua njeh ose ua heq kundërshtarëve sipas interesit të vet.
5. Mbajtja e z. Fatos Nano në burg dhe arrestimi i deputetit Zef Preçi, përveçse dëshmojnë për klimën e acarimit politik ekstrem në vend, janë një goditje e drejtpërdrejtë ndaj institucioneve ndërkombëtare demokratike që kanë kërkuar respektimin e normave parlamentare e juridike në Shqipëri. Injorimi i rekomandimeve të Unionit Ndërparlamentar për çështjen Nano dhe shpërfillja e vërejtjeve të Këshillit të Evropës lidhur me gjendjen e demokracisë e të të drejtave të njeriut në vendin tonë, e komprometojnë rëndë pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë.
Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë e shoqërorë në vend të reagojnë me përgjegjësi ndaj këtyre dukurive të rrezikshme, të mos pranojnë normalizimin e arbitraritetit dhe të mbrojnë standardet minimale të shtetit ligjor e të pluralizmit politik.
(Vijon në faqen 5)